Ekspertët: Kufizoni mishin e përpunuar dhe pijet me sheqer për një jetë më të gjatë
Një studim i publikuar në revistën prestigjioze Nature Medicine ka analizuar dhjetëra kërkime shkencore për të vlerësuar ndikimin e konsumit të përditshëm, edhe në sasi të vogla, të mishrave të përpunuar, pijeve me sheqer dhe yndyrave të pashëndetshme në shëndetin e njeriut.
Rezultatet treguan se edhe një “hot dog” ose një kënaçe pije e gazuar në ditë lidhet me rritje të rrezikut për diabet të tipit 2, kancer të zorrës së trashë dhe sëmundje të zemrës. Sipas autorit kryesor, Dr. Demewoz Haile nga Universiteti i Uashingtonit, “konsumimi i shpeshtë, sado i vogël, i këtyre produkteve, ka lidhje të qartë me rritjen e rrezikut për sëmundje serioze”.
Ekspertët theksojnë se zakonet e vogla të përsëritura çdo ditë grumbullohen me kalimin e kohës, duke ndikuar ndjeshëm në shëndet. Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikon mishin e përpunuar si kancerogjen për njerëzit, ndërsa pijet me sheqer lidhen me shtim të kalorive “boshe” dhe probleme metabolike.
Shkencëtarët rekomandojnë kufizimin e këtyre ushqimeve dhe zëvendësimin e tyre me alternativa më të shëndetshme, si mishi i freskët, uji dhe yndyrat e pangopura. Ndryshimet e vogla, por të qëndrueshme, mund të sjellin përfitime të dukshme për shëndetin afatgjatë.
Flaka
















