Si të veproni në rast djegieje: këshillat e mjekëve
Djegiet janë ndër lëndimet më të shpeshta që ndodhin në shtëpi, sidomos në kuzhinë apo gjatë aktiviteteve të përditshme si hekurosja. Mjekët theksojnë se reagimi i shpejtë dhe i saktë është thelbësor për të shmangur komplikimet dhe për të përshpejtuar shërimin.
Kirurgia Dr. Lourdes Castañón, drejtuese e programit të djegieve në SHBA, shpjegon se hapi i parë është gjithmonë ftohja e zonës së prekur me ujë të vakët për 10–20 minuta, kurrsesi me akull. Pas kësaj, lëkura duhet të pastrohet butë dhe të mbrohet me garzë sterile.
Djegiet e lehta (të shkallës së parë ose disa të shkallës së dytë) mund të trajtohen në kushte shtëpie me pomada antibiotike ose vazelinë, duke shmangur produktet irrituese. Por, në rastet kur djegia është më e thellë, prek fytyrën, duart, këmbët apo organet gjenitale, ose kur shfaqen shenja infeksioni, kërkohet ndihmë e menjëhershme mjekësore.
Dr. Castañón paralajmëron gjithashtu për gabimet më të zakonshme: përdorimi i akullit, gjalpit apo vajit, si dhe shpimi i flluskave, të cilat mund të përkeqësojnë gjendjen.
Parandalimi mbetet arma më e mirë: kujdes në kuzhinë, përdorimi i ndezësve të pasmë të sobës, kontrolli i temperaturës së ushqimit për fëmijët, mbajtja e pijeve të nxehta dhe hekurave larg duarve të tyre, si dhe instalimi i detektorëve të tymit në shtëpi.
Flaka
















