Fede Valverde publikon një deklaratë pas spekulimeve të fundit mbi rastin e tij
Mesfushori uruguaian i Real Madrid, Federico Valverde, ka dalë me një deklaratë publike për të sqaruar zërat e fundit që e akuzonin se kishte refuzuar të luante në disa ndeshje. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Valverde theksoi se ndonëse është i vetëdijshëm për disa paraqitje të dobëta, ai kurrë nuk ka refuzuar të japë maksimumin për klubin madrilen.
“Kam lexuar disa artikuj që dëmtojnë reputacionin tim. E di që kam pasur ndeshje të dobëta, por nuk fshihem dhe përballem me kritikat. Jam vërtet i trishtuar. Mund të thonë shumë gjëra për mua, por kurrsesi që kam refuzuar të luaj. Kam dhënë gjithçka dhe më shumë për këtë klub”, shkroi Valverde.
Ai shtoi se ka luajtur edhe i dëmtuar, pa u ankuar asnjëherë, dhe se marrëdhënia e tij me trajnerin Xabi Alonso është e mirë. “Kam lënë zemrën dhe shpirtin tim në këtë klub dhe do të vazhdoj ta bëj, edhe kur nuk është e mjaftueshme ose nuk luaj siç do të doja. Betohem se nuk do të dorëzohem kurrë dhe do të luftoj deri në fund, duke luajtur kudo që të më duhet”, përfundoi mesfushori.
Deklarata e tij shihet si një mesazh i qartë për të mbyllur çdo dyshim mbi përkushtimin e tij ndaj Real Madrid, në një moment kur spekulimet për tensione të brendshme kishin marrë vëmendje të madhe në media.
Flaka
















