Gështenjat: Fruti i vjeshtës që sjell shije dhe energji
Vjeshta sjell me vete aromën e gështenjave të pjekura, një frut i dashur në tryezat shqiptare, sidomos ato të Tropojës, Korçës dhe Pogradecit. Të pasura me fibra, minerale dhe acid folik, gështenjat janë jo vetëm të shijshme, por edhe një burim i rëndësishëm energjie dhe ushqyesish.
Ato mund të konsumohen në forma të ndryshme – të pjekura, të ziera, të gatuara në furrë apo edhe si pjesë e recetave me mish dhe peshk. Përmbajtja e lartë e karbohidrateve i bën të krahasueshme me bukën apo makaronat, duke ofruar energji të mjaftueshme për të përballuar lodhjen dhe ditët e ftohta të dimrit.
Gështenjat përmbajnë hekur, duke ndihmuar personat që vuajnë nga anemia, si dhe acid folik, i cili është i domosdoshëm gjatë shtatzënisë për zhvillimin e shëndetshëm të fetusit. Për më tepër, fibrat e tyre ndihmojnë në tretje dhe janë të dobishme për ata që vuajnë nga kapsllëku. Si një produkt pa gluten, ato janë të përshtatshme edhe për personat me celiaki.
Megjithatë, nutricionistët paralajmërojnë se për shkak të kalorive të larta, gështenjat nuk rekomandohen për personat me diabet, obezitet apo kolit. Porcionet e këshilluara janë deri në 100 gram të ziera ose 60 gram të pjekura.
Nga gështenjat prodhohet gjithashtu një miell i veçantë, i cili përdoret në gatime të ndryshme tradicionale dhe moderne, duke i dhënë këtij fruti një vend të veçantë në kuzhinë.
Flaka
















