Mos gaboni në treg: si të njihni mandarinat më cilësore
Tetori shënon nisjen e sezonit të mandarinave, një nga frutat më të preferuara të vjeshtës. Të gjithë kërkojmë mandarina të ëmbla, të lëngshme dhe aromatike, por shpesh përballemi me fruta të thata ose të tharta. Ekspertët e agrumeve tregojnë disa truke të thjeshta për të zgjedhur mandarinat cilësore, pa i dëmtuar ato.
Shikoni lëvoren – Mandarina e mirë ka lëkurë të hollë, të tendosur dhe me shkëlqim natyral. Shmangni ato me lëkurë të rrudhur ose të fryrë, pasi zakonisht janë të vjetra dhe pa lëng. Një mandarinë më e rëndë për madhësinë e saj është shenjë se është e mbushur me lëng.
Madhësia dhe aroma – Mandarinat e vogla deri të mesme janë më të ëmbla, ndërsa ato shumë të mëdha shpesh janë më ujore. Një aromë e fortë agrumesh nga kërcelli tregon freski dhe përmbajtje të lartë vajrash esencialë.
Mos harroni: nuk piqen pas korrjes – Ndryshe nga disa fruta, mandarinat nuk piqen më pasi mblidhen. Nëse janë vjelë herët, do të mbeten të forta dhe të tharta. Për këtë arsye, më të mirat janë gjithmonë ato vendase dhe të sezonit, të blera direkt nga prodhuesit.
Këto këshilla të thjeshta do t’ju ndihmojnë të zgjidhni mandarinat më të shijshme dhe të shëndetshme për tryezën tuaj këtë vjeshtë.
Flaka
















