“Dy kivi në ditë, zgjidhja më e mirë për kapsllëkun”
Një studim i ri i publikuar në Journal of Human Nutrition & Dietetics ka sjellë udhëzime të reja për menaxhimin e kapsllëkut përmes ushqimit. Sipas studiuesve të Kolegjit Mbretëror të Londrës, ngrënia e dy ose tre frutave kivi në ditë është një mënyrë më e mirë për të filluar trajtimin e kapsllëkut sesa përpjekja për të ndjekur një dietë me shumë fibra.
Autorja kryesore e studimit, doktoresha Eirini Dimidi, theksoi se kapsllëku prek rreth një në dhjetë persona dhe ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës. Ajo rekomandoi gjithashtu 8-10 kumbulla të thata në ditë ose pak bukë thekre si alternativa të tjera natyrale.
“Kivi jo vetëm që përmban fibra, por edhe rrit përmbajtjen e ujit në zorrë, duke e bërë jashtëqitjen më të butë. Mund të konsumohet me ose pa lëkurë, pasi të dyja mënyrat janë të dobishme”, tha Dimidi.
Një tjetër gjetje e rëndësishme është se uji mineral është më i dobishëm se uji i rubinetit, pasi përmban më shumë magnez, një mineral me efekt laksativ. Për këtë arsye, suplementet me oksid magnezi janë treguar shumë efektive në lehtësimin e simptomave si fryrja, dhimbja e barkut dhe vështirësia në jashtëqitje.
Profesori Kevin Whelan, bashkautor i studimit, tha se këto udhëzime përfaqësojnë një hap të madh përpara: “Pacientët dhe profesionistët e shëndetit tani kanë qasje në këshilla të përditësuara që përmirësojnë simptomat, mirëqenien dhe cilësinë e jetës.”
Shoqata Britanike e Dietologjisë e ka cilësuar këtë si një burim të shkëlqyer për mjekët dhe dietologët, duke e parë si një qasje moderne dhe të bazuar në prova shkencore për menaxhimin e kapsllëkut kronik.
Flaka
















