Manuel Neuer, 39 vjeç, pritet të rinovojë kontratën me Bayern Munich deri në vitin 2027
Bayern Munich është duke shqyrtuar seriozisht mundësinë e zgjatjes së kontratës së Manuel Neuer deri në vitin 2027, sipas raportimeve të Süddeutsche Zeitung. Portieri legjendar gjerman, i cili aktualisht është 39 vjeç, ka kontratë deri në verën e vitit 2026, por performancat e tij të fundit dhe gjendja e mirë fizike kanë bindur drejtuesit bavarezë se ai mund të vazhdojë edhe një vit më shumë.
Pas tërheqjes nga kombëtarja gjermane, Neuer ka pasur më shumë kohë për rikuperim dhe menaxhim të ngarkesës fizike, gjë që ka ndikuar pozitivisht në formën e tij. Brenda klubit ekziston mbështetje e gjerë për rinovimin, nëse vetë lojtari vendos të vazhdojë. Vendimi përfundimtar pritet të merret në fund të vitit, rreth Krishtlindjes ose në fillim të vitit 2026.
Nëse rinovimi realizohet, kalimi i portës te Jonas Urbig, i cili shihet si pasardhësi afatgjatë, do të shtyhet deri në verën e vitit 2027. Për Bayernin, ruajtja e stabilitetit në portë është prioritet, ndërkohë që klubi paralelisht përgatit planin për të ardhmen.
Vetë Neuer nuk ka dhënë asnjë sinjal për tërheqje nga futbolli, ndërsa në klub vlerësohen lart paraqitjet e tij të fundit, duke e konsideruar ende një nga portierët më të mirë në botë.
Flaka
















