Dermatologia paralajmëron: Mos e kombinoni shampon kundër zbokthit me balsam – rrit rrezikun e zbokthit
Zbokthi është një problem i zakonshëm që prek burra dhe gra të çdo moshe, duke ndikuar jo vetëm në pamjen e jashtme, por edhe në vetëbesimin tonë. Shumë njerëz kanë provuar produkte të ndryshme për ta eliminuar, por shpesh pa sukses afatgjatë.
Një dermatologe me bazë në New York ka shpjeguar se një nga arsyet kryesore pse zbokthi rikthehet është përdorimi i gabuar i shampos kundër zbokthit. Sipas saj, nëse përdorni një shampon me zink piritioni, nuk duhet ta kombinoni menjëherë me balsam flokësh.
“Ndoshta mendoni se balsami do ta zbusë flokun dhe do ta bëjë të duket më i shëndetshëm, por e keni gabim. Studimet kanë treguar që kur njerëzit përdorin shampoo me përbërje zink piritioni dhe më pas aplikojnë balsam, shanset për të pasur zbokth rriten me 50%”, theksoi ajo.
Arsyeja është se balsami krijon një shtresë që zbeh efektin e përbërësve aktivë të shampos, duke e bërë atë më pak efektive kundër kërpudhave dhe baktereve që shkaktojnë zbokthin.
Ekspertët këshillojnë që, nëse përdorni shampon kundër zbokthit, ta lini të veprojë disa minuta në skalp dhe të shmangni përdorimin e balsamit menjëherë pas saj. Në vend të kësaj, mund të përdorni balsam vetëm në majat e flokëve, pa e aplikuar në lëkurën e kokës.
Ky zbulim është një kujtesë e rëndësishme se mënyra si përdorim produktet e kujdesit për flokët është po aq e rëndësishme sa edhe vetë produktet.
Flaka
















