Nico Paz, ylli i ri i Serie A – Como fluturon me talentin argjentinas, Real Madrid gati ta rikthejë
Serie A ka një emër të ri që po tërheq vëmendjen e të gjithëve: Nico Paz. Mesfushori ofensiv argjentinas, i rritur në akademinë e Real Madrid, po bën një sezon të jashtëzakonshëm me Como 1907, duke u kthyer në liderin absolut të skuadrës.
Në ndeshjen e fundit ndaj Juventusit, Paz u shpall sërish Lojtari i Ndeshjes (MOTM), pasi shënoi dhe asistoi në fitoren 2-0 të Comos, duke i dhënë bardhezinjve humbjen e parë të sezonit.
Statistikat e tij janë mbresëlënëse:
- 8 gola + asistime në 7 ndeshje (më shumë se çdo lojtar tjetër të Comos)
- 4 gola dhe 4 asistime në këtë fillim sezoni
- I përfshirë direkt në 8 nga 9 golat e skuadrës
- 4 herë Lojtari i Ndeshjes
- 2 herë fitues i çmimit “Rising Star of the Month” në Serie A
Këto paraqitje kanë bërë që Real Madrid të mendojë seriozisht për rikthimin e tij në “Santiago Bernabéu”. Klubi spanjoll ka një klauzolë riblerjeje që mund ta aktivizojë pas këtij sezoni.
Sipas mediave spanjolle dhe italiane, Florentino Pérez dhe stafi teknik e shohin Paz-in si një pjesë kyçe të planeve afatgjata të Real Madrid, duke e konsideruar si një pasardhës të natyrshëm për mesfushorët kreativë të ekipit.
Me këtë ritëm, Nico Paz jo vetëm që po shkruan historinë e Comos, por po konfirmohet si një nga talentet më të ndritura të futbollit evropian.
Flaka
















