Carvajal kundër ndeshjeve të La Ligës në Miami: “Është një padrejtësi e qartë”
Kapiteni i Real Madridit, Dani Carvajal, ka dalë hapur kundër vendimit të La Ligës për të zhvilluar ndeshjen mes Villarreal dhe Barcelonës në Miami, më 20 dhjetor. Në një deklaratë për Teledeporte, mbrojtësi i djathtë theksoi se ky vendim “adulteron garën” dhe nuk i vendos të gjitha skuadrat në kushte të barabarta.
“Është një padrejtësi e qartë në garë. Nuk është e drejtë që disa ekipe të luajnë në kushte të ndryshme nga të tjerët. Duhet të jemi të drejtë – lojtarët, klubet dhe vetë liga”, tha Carvajal.
Ky reagim vjen në një moment kur shumë lojtarë dhe klube kanë shprehur pakënaqësi për vendimin e La Ligës, duke paralajmëruar edhe protesta kolektive në ndeshjet e fundjavës. Shumë ekspertë e shohin këtë si një përpjekje të presidentit të La Ligës, Javier Tebas, për të zgjeruar tregun ndërkombëtar, por kritikët paralajmërojnë se kjo mund të dëmtojë integritetin sportiv të kampionatit spanjoll.
Debati për ndeshjet jashtë Spanjës nuk është i ri – tentativa të ngjashme janë bërë edhe më parë, por gjithmonë kanë hasur në kundërshtime të forta nga lojtarët, federata dhe tifozët.
Flaka
















