Këshilla e babait që e shoqëron Álvarez: Pa tatuazhe, pa cigare, pa alkool
Sulmuesi argjentinas Julián Álvarez ka rrëfyer një detaj interesant për jetën e tij personale, duke u bërë temë diskutimi në mediat sportive. Në një intervistë për L’Équipe, lojtari i Atlético Madrid tha se gjatë grumbullimit me kombëtaren dikush i kishte vënë re se ishte i vetmi lojtar pa tatuazhe.
Álvarez shpjegoi se kjo nuk është një mënyrë për t’u dalluar nga të tjerët, por një zgjedhje e thjeshtë e jetës: “Kur isha fëmijë, babai më tha: pa tatuazhe, pa cigare, pa alkool. Sot që jam rritur, nuk ndjej nevojën për to. Jam i lumtur me trupin tim ashtu siç është.”
Në një kohë kur shumica e futbollistëve të njohur, përfshirë shokët e tij të kombëtares si Lionel Messi apo Lautaro Martínez, kanë tatuazhe që simbolizojnë momente të rëndësishme të jetës, Álvarez ka zgjedhur të mbetet ndryshe. Ky vendim i tij është pritur me respekt nga tifozët, të cilët e shohin si shembull të disiplinës dhe thjeshtësisë.
Ky rrëfim i sulmuesit 25-vjeçar tregon një anë tjetër të personalitetit të tij, larg fushës së lojës, duke e bërë edhe më të veçantë në botën e futbollit modern.
Flaka












