Guardiola: Ndeshja Katalonia–Palestina është më shumë se një lojë
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka bërë një thirrje të fuqishme për tifozët që të mbushin Stadiumin Olimpik “Lluis Companys” në Barcelonë më 18 nëntor, kur Kombëtarja e Katalonisë do të përballet me Kombëtaren e Palestinës në një ndeshje miqësore me simbolikë të veçantë.
Në një video të postuar në Instagram, Guardiola e quajti Barcelonën një “qytet paqeje” dhe theksoi se kjo përballje është “më shumë se një lojë”, duke e cilësuar si një thirrje për solidaritet dhe një homazh për më shumë se 400 sportistët palestinezë të vrarë në Gaza që nga tetori 2023.
“Barcelona, qytet i paqes, pret të martën ndeshjen mes Kombëtares së Katalonisë dhe Kombëtares Palestineze. Është shumë më tepër se një lojë, është një thirrje për solidaritet, një homazh për më shumë se 400 sportistët palestinezë që janë vrarë në Gaza. Ta mbushim stadiumin,” tha Guardiola.
Ndeshja është organizuar për të promovuar unitetin dhe ndërgjegjësimin mbi situatën humanitare në Gaza, ku sipas Komitetit Olimpik Palestinez dhe Federatës Palestineze të Futbollit, midis tetorit 2023 dhe korrikut 2024 janë vrarë rreth 400 sportistë, përfshirë 245 futbollistë, 69 fëmijë dhe 176 të rinj.
Ky event vjen pas një veprimi historik në maj, kur Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohën shtetin e Palestinës, duke hapur rrugën që edhe vende të tjera perëndimore të ndjekin këtë shembull.
Flaka
















