Juventusi synon Tonalin, David mund të përdoret si pjesë e negociatave


Sipas raportimeve të Foot Mercato, Juventusi ka vendosur në shënjestër mesfushorin italian Sandro Tonali, i cili aktualisht aktivizohet te Newcastle United. Operacioni nuk pritet të jetë i lehtë, pasi klubi anglez e vlerëson Tonalin rreth 80–85 milionë euro dhe nuk ka ndërmend të lejojë largimin e një prej lojtarëve kryesorë të mesfushës.
Për këtë arsye, drejtuesit bardhezinj po analizojnë formula alternative, përfshirë huazimin me të drejtë ose detyrim blerjeje, të lidhur edhe me kualifikimin në Champions League.
Në këtë kontekst, në tavolinë ka dalë emri i Jonathan David. Sulmuesi kanadez, i transferuar te Juventusi në verën e vitit 2025 pas largimit nga Lille, nuk ka arritur ende të tregojë vazhdimësi në paraqitje dhe mund të përdoret si pjesë e një shkëmbimi të mundshëm, për të lehtësuar marrëveshjen me Newcastle.
Tonali shihet nga drejtuesit bardhezinj si një përforcim kyç për mesfushën, një lojtar me personalitet dhe eksperiencë që mund t’i japë ekuilibër dhe cilësi skuadrës. Për momentin, gjithçka mbetet në fazën e spekulimeve, por Juventusi duket i vendosur të provojë çdo rrugë për të sjellë Tonalin në Torino, qoftë në afatin e janarit apo gjatë merkatos së verës.
Flaka





















