Amorim: “Mainoo është e ardhmja e Manchester United”
Trajneri i Manchester United, Rúben Amorim, ka dhënë një deklaratë shumë domethënëse për të ardhmen e Kobbie Mainoo, duke e cilësuar mesfushorin e ri si një nga shtyllat kryesore të projektit afatgjatë të klubit.
“Kobbie Mainoo do të jetë e ardhmja e Manchester United”, ka deklaruar Amorim, duke treguar besimin e plotë në potencialin e 19-vjeçarit.
Trajneri portugez theksoi se futbolli ndryshon shumë shpejt dhe se Mainoo duhet vetëm të presë momentin e tij për të shpërthyer.
“Jam i sigurt se Kobbie thjesht duhet të presë shansin e tij, sepse në futboll gjithçka mund të ndryshojë brenda dy ose tre ditësh”, shtoi Amorim.
Ai gjithashtu bëri të qartë se largimi i Mainoo nuk është në planet e klubit, veçanërisht për shkak të mungesave në repartin e mesfushës.
“Nëse nuk po afrojmë një lojtar tjetër, është e vështirë ta lëmë Mainoo të largohet. Ne jemi të mangët dhe ai mund të mbulojë dy pozicione në mesfushë”, përfundoi trajneri i United.
Deklaratat e Amorim vijnë në një moment kur e ardhmja e Mainoo është diskutuar gjerësisht, por sinjalet nga stafi teknik tregojnë qartë se talenti anglez mbetet pjesë kyçe e planeve të “Djajve të Kuq”.
Flaka
















