Luis Enrique flet me superlativa për Mbappén: Një lojtar dhe njeri i jashtëzakonshëm
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka folur me superlativa për Kylian Mbappé, duke theksuar jo vetëm cilësitë e tij futbollistike, por edhe karakterin njerëzor të yllit francez.
Tekniku spanjoll u shpreh se ka pasur fatin të punojë me një lojtar të jashtëzakonshëm, të cilin e përshkroi si një person të rrallë për nivelin e lartë që ka në futbollin botëror.
“Takova një lojtar të mrekullueshëm. Një person me karakter të jashtëzakonshëm, llojin që rrallë e gjen kur sheh një lojtar të kalibrit të tij. Human, i dashur dhe shumë i afrueshëm,” – deklaroi Luis Enrique.
Trajneri i PSG-së nuk e fshehu keqardhjen për largimin e Mbappé drejt Real Madridit, duke pranuar se transferimi i tij ishte një humbje e madhe për klubin parisien në atë periudhë.
“Është për të ardhur keq që shkoi në Madrid, sidomos për ne në atë kohë, por kjo është pjesë e jetës,” – shtoi ai.
Megjithatë, Luis Enrique theksoi se ndan vetëm respekt dhe mirënjohje për Mbappén, duke i uruar suksese në aventurën e tij të re dhe duke nënvizuar marrëdhënien e shkëlqyer që ka pasur me të dhe familjen e tij.
“Shpresoj që gjërat t’i shkojnë shumë mirë. Nuk kam asgjë për ta qortuar. Ai ka qenë gjithmonë shumë i sjellshëm dhe respektues, ashtu si vëllai dhe prindërit e tij,” – përfundoi trajneri spanjoll.
Flaka
















