Ana tjeter e medaljes
Kolumnë nga Memedali Jusufi
Nëse vetëm për një ditë do t’ju jepej mundësia të shikonit përmes syve të të tjerëve, do të habiteshit kur të zbulonit se ata ju shohin si njerëz të bukur, tërheqës dhe të veçantë, me të meta të vogla karakteristike – njësoj siç i shihni edhe tek vetja. Një buzëqeshje magnetike, gjestet, ëmbëlsia apo qëndrimi juaj flasin shumë për jetën dhe personalitetin tuaj. Do të zbulonit se për shumë njerëz ju jeni vërtet të bukur, sepse ata e kanë lexuar këtë bukuri në sytë tuaj, për të mbërritur më pas drejt e në zemër.
Nga ana tjetër, interesimi për më të bukurit dhe më të shquarit ka qenë gjithmonë i shoqëruar me entuziazëm të papërmbajtur nga spektatorët. Njerëzit e ekranit, të kinemasë apo edhe të sportit, për shumëkënd mishërojnë idealet e finesës, bukurisë, joshjes së brendshme dhe të jashtme dhe, herë pas here, arrijnë të tronditin e të magjepsin me veprimet e tyre. Admiruesit dëshirojnë të njohin sekretet e zemrës së idhujve të vet, misteret e ruajtjes së freskisë rinore dhe hijeshisë. Ndoshta për këtë arsye aktori ynë i madh, Bekim Fehmiu, dëshironte të pasqyronte çdo detaj të jetës së tij në librin “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”.
Yjet ndikojnë në shijen e shoqërisë, në stilin e veshjes, të buzëqeshjes, por njëkohësisht edhe shijet dhe gjendja shpirtërore e shoqërisë ndikojnë mbi yllin. Me shkatërrimin e një ideali, shpesh pason edhe vetëshkatërrimi: shumë protagonistë të letërsisë botërore kanë kryer vetëvrasje si shenjë e mosrealizimit të një ideali. Pjesa dërrmuese e grave mendojnë se bukuria është ajo që imponohet nga standardet shoqërore – format fizike si të modeleve, vithet si të Kim Kardashian apo stili i yjeve të famshëm. Në të vërtetë, këto shpesh janë ekuivalente me defekte që shkatërrojnë estetizmin e vlerësuar dikur nga shkrimtarët dhe poetët e së kaluarës.
Perëndesha e ekranit, Sophia Loren, e ka përcaktuar me saktësi pse admiruesit nuk janë indiferentë ndaj idhujve të tyre. Sipas saj, ata nuk i adhurojnë vetëm për talentin e dhënë nga natyra, por edhe për tiparet e veçanta që shumicës së njerëzve të zakonshëm u mungojnë: shkëlqimin e syve, sinqeritetin e aktorit, guximin, ndjeshmërinë e thellë ndaj padrejtësisë – virtyte këto që ngjallin entuziazëm dhe magjepsje. Këto përbëjnë atë që quhet sharm. Sharmi është ana e padukshme e bukurisë dhe një cilësi thellësisht individuale. Nëse jeni të bukur, do të bini në sy; nëse jeni të mençur, do të tërhiqni vëmendjen; nëse zotëroni sharm, nuk do të harroheni kurrë.
Dhe papritur ndodh zhgënjimi… asgjë përreth nuk shkon siç duhet… yjet e Hollivudit nuk janë ata që pandehnit. Sa herë që zhgënjehemi nga një rezultat, nga sjellja jonë apo e dikujt tjetër, kjo ndodh sepse kemi krijuar më parë pritshmëri larg realitetit. Zhgënjimi është ndjenja e papritur e trishtimit që na godet kur nuk marrim atë që prisnim nga njerëzit ose situatat ku kishim besuar.
Zhgënjimi është një dhimbje e dyfishtë: na zhgënjen situata, por edhe qëndrimi ynë ndaj saj. Si shiu që na bezdis, edhe pse murmuritja kundër tij është e padobishme – megjithatë ne vazhdojmë ta bëjmë. Marcus Aurelius, perandori-filozof, thoshte: “A është kastraveci i hidhur? Hidhe tutje. A ka pengesa në rrugë? Shmangi. Nuk ke nevojë të shtosh asgjë.” Por si ta largojmë diçka që shkon përtej nesh?
Filozofi André Comte-Sponville na kujton: “Zhgënjimi është pjesë e njerëzimit tonë. Duhet ta pranojmë dhe të mos shpresojmë se nuk do të zhgënjehemi kurrë.” Prandaj, zhgënjimi na mëson pranimin – eliksirin që na ndihmon të jetojmë në realitet dhe jo në iluzione. Pranimi nuk është dorëzim. Është të marrësh parasysh atë që ekziston: ta mirëpresësh botën ashtu siç është, jo siç do të donim të ishte. Është të pranosh edhe zhgënjimin, duke pranuar se prisnim diçka tjetër.
Mjafton të thuash: “Epo, gjërat kështu janë”, dhe të kthehesh në realitet për të parë çfarë mund të bësh. Zhgënjimi largohet kur mëson ta pranosh.
“Dosja Epstein” ishte një përmbysje e madhe, por njëkohësisht mund të jetë edhe një fillim i ri. Si ta shohim botën sërish me idealet e dikurshme? Harrojmë se bota nuk është e përsosur. Madje, sapo i realizojmë idealet, shpesh pason një periudhë zbrazëtie. Janë idealet ato që na mbajnë gjallë dhe të entuziazmuar; por në momentin kur ëndrrat realizohen, zhgënjimi shfaqet si hija e tyre. Këto janë dy anë të së njëjtës monedhë, të cilat nuk arrijmë kurrë t’i harmonizojmë plotësisht.

















