Ekspertët paralajmërojnë: Kufjet mund të dëmtojnë përfundimisht dëgjimin
Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se përdorimi i tepruar i kufjeve, veçanërisht me volum të lartë, mund të shkaktojë dëmtime të përhershme në dëgjim.
Sipas një studimi të Ofcom të vitit 2015, një i rritur mesatar kalon rreth 8 orë e 41 minuta në ditë duke konsumuar media ose duke komunikuar në mënyrë digjitale, më shumë sesa koha e kaluar duke fjetur, që mesatarisht është 8 orë e 21 minuta. Ky nivel i lartë ekspozimi ndaj pajisjeve digjitale konsiderohet potencialisht i dëmshëm për shëndetin e veshëve.
Specialistët e dëgjimit këshillojnë zbatimin e të ashtuquajturit rregulli 60/60. Mjekja otorinolaringologe Anna Mateo nga Spitali Vall d’Hebron në Barcelonë shpjegon se kufjet nuk duhet të përdoren për më shumë se 60 minuta rresht, ndërsa volumi duhet të jetë jo më i lartë se 60%.
Mosrespektimi i këtij rregulli mund të çojë në trauma akustike, ndërsa organizata “Action on Hearing Loss” paralajmëron se dëgjimi i tingujve mbi 89 decibel për më shumë se 5 orë në javë mund të shkaktojë humbje të përhershme të dëgjimit ose tringëllimë në veshë (tinnitus).
Sipas ekspertëve, edhe lloji i kufjeve luan rol të rëndësishëm. Kufjet mbi vesh (over-ear) rekomandohen si më të sigurta krahasuar me ato që futen brenda veshit, pasi janë më pak irrituese. Ndërkohë, kufjet e vogla (earbuds) nuk duhet të ndahen me persona të tjerë për të shmangur përhapjen e infeksioneve dhe duhet të pastrohen rregullisht dhe të mbahen të thata pas çdo përdorimi.
Në anën tjetër, teknologjia dhe luksi janë bashkuar në një projekt të pazakontë. Kompania gjermane e teknologjisë Loewe dhe argjendari amerikan Jacob & Co. kanë prezantuar një seri të kufizuar kufjesh luksoze të zbukuruara me gurë të çmuar.
Bashkëpunimi ka rezultuar në dy modele ekskluzive:
Modeli Ice Diamond, i punuar nga ar i bardhë 14 karatësh dhe i zbukuruar me 456 diamantë, si dhe modeli Noir Rainbow, që përmban rreth 16 karatë safirë shumëngjyrësh, të vendosur në ar rozë 14 karatësh.
Flaka
















