Kujdesi oral mund të ulë rrezikun e mbi 50 sëmundjeve serioze, përfshirë demencën
Larja e dhëmbëve tri herë në ditë dhe kontrollet e rregullta te dentisti mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për më shumë se 50 probleme serioze shëndetësore, përfshirë demencën dhe artritin, paralajmërojnë ekspertët.
Prej kohësh dihet se shëndeti oral lidhet ngushtë me mirëqenien e përgjithshme. Studime të mëhershme kanë treguar se përhapja e baktereve nga sëmundjet e gojës mund të lidhet me sëmundjen e Alzheimerit, kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin.
Kjo çështje u theksua gjatë konferencës vjetore të American Association for the Advancement of Science (AAAS), e mbajtur në Arizona, SHBA.
Profesori Alpdogan Kantarci nga Shkolla e Stomatologjisë e University of Minnesota deklaroi se ruajtja e shëndetit të dhëmbëve mund të shoqërohet me një rrezik të reduktuar të mbi 50 sëmundjeve sistemike.
Sipas tij, personat me sëmundje të lehta ose të moderuara që kujdesen rregullisht për dhëmbët dhe kryejnë pastrime profesionale tregojnë rezultate më të mira njohëse krahasuar me ata që neglizhojnë higjienën orale.
Ekspertët theksuan veçanërisht periodontitin – një formë agresive e sëmundjes së mishrave të dhëmbëve – si faktor rreziku për artritin reumatoid dhe demencën. Kur bakteret orale hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe arrijnë në tru, ato mund të shkaktojnë inflamacion kronik. Ky proces mund të ndikojë në sistemin imunitar dhe të përshpejtojë formimin e pllakave që dëmtojnë funksionin njohës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se aktualisht nuk ka prova shkencore që vërtetojnë se sëmundjet e mishrave të dhëmbëve shkaktojnë drejtpërdrejt demencë ose artrit, por ekziston një lidhje e fortë ndërmjet shëndetit oral dhe sëmundjeve sistemike.
Flaka
















