A është i shëndetshëm uji i gazuar? Ja çfarë thonë ekspertët
Uji i gazuar po bëhet gjithnjë e më i preferuar nga shumë njerëz, sidomos si alternativë ndaj pijeve të gazuara me sheqer. Sipas raportimit të Real Simple, konsumimi i rregullt i tij zakonisht nuk përbën rrezik për shëndetin, megjithatë ka disa aspekte që duhen marrë parasysh.
Uji i gazuar është ujë të cilit i është shtuar dioksid karboni, duke krijuar flluskat karakteristike. Ai mund të përmbajë edhe minerale natyrale ose të shtuara, si kalcium, magnez dhe natrium. Në treg gjenden disa lloje, përfshirë ujin e gazuar të thjeshtë, ujin mineral dhe versionet me aromë.
Sipas ekspertëve, shumica e llojeve të ujit të gazuar nuk përmbajnë kalori, sheqerna apo aditivë, gjë që i bën një zgjedhje të mirë për konsum të përditshëm. Megjithatë, disa variante me aromë ose tonikë mund të përmbajnë sheqer të shtuar ose lëng frutash, duke rritur kështu përmbajtjen e karbohidrateve.
Një nga përfitimet kryesore të ujit të gazuar është se ndihmon në hidratimin e organizmit, njësoj si uji i zakonshëm. Për shumë njerëz që nuk e preferojnë ujin e thjeshtë, flluskat krijojnë një ndjesi freskie dhe mund të ndihmojnë në rritjen e konsumit të lëngjeve gjatë ditës.
Disa studime sugjerojnë gjithashtu se gazimi mund të krijojë ndjesi më të madhe ngopjeje dhe në disa raste të ndikojë pak në kontrollin e marrjes së ushqimit. Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto efekte janë të vogla dhe nuk mund të zëvendësojnë një dietë të balancuar dhe aktivitet fizik të rregullt.
Nga ana tjetër, tek disa persona uji i gazuar mund të shkaktojë fryrje, gazra ose përkeqësim të urthit, për shkak të aciditetit të tij. Konsumimi i tepërt mund të ndikojë edhe në smaltin e dhëmbëve, prandaj rekomandohet moderim dhe kujdes për higjienën orale.
Në përgjithësi, ekspertët vlerësojnë se uji i gazuar është një alternativë e sigurt dhe freskuese, veçanërisht nëse zgjidhen variante pa sheqer dhe konsumohet me masë.
Flaka
















