Agjërimi në Ramazan dhe përfitimet për shëndetin: Ja çfarë thonë ekspertët
Agjërimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit nuk është vetëm një praktikë shpirtërore, por edhe një mundësi për përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor. Përveç dimensionit fetar, ekspertët theksojnë se agjërimi mund të sjellë një sërë përfitimesh për organizmin, duke ndikuar pozitivisht në metabolizëm, sistemin imunitar dhe mirëqenien e përgjithshme.
Ndihmon në humbjen e peshës dhe përmirëson metabolizmin
Gjatë agjërimit, trupi përshtatet me një regjim të kufizuar ushqimi dhe fillon të përdorë rezervat e yndyrës si burim energjie. Ky proces ndihmon në djegien e yndyrës së tepërt dhe mund të kontribuojë në humbjen e peshës. Njëkohësisht, metabolizmi bëhet më efikas në përdorimin e kalorive.
Kontroll më i mirë i sheqerit në gjak
Agjërimi mund të ndikojë në uljen e rezistencës ndaj insulinës dhe në përmirësimin e ndjeshmërisë së saj. Duke përdorur rezervat e glukozës për energji, trupi ndihmon në stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak. Ulja e inflamacionit dhe humbja e peshës janë faktorë shtesë që ndikojnë pozitivisht në këtë proces.
Forcon sistemin imunitar
Një ndër proceset që aktivizohet gjatë agjërimit është autofagjia – mekanizëm përmes të cilit trupi pastron dhe riciklon qelizat e dëmtuara. Ky proces mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionit të sistemit imunitar dhe në rigjenerimin e qelizave të shëndetshme.
Përmirëson cilësinë e gjumit
Agjërimi mund të ndikojë në rregullimin e ritmeve cirkadiane dhe në uljen e nivelit të kortizolit, hormonit të stresit. Gjithashtu, besohet se ndikon në rritjen e prodhimit të melatoninës, hormonit që rregullon gjumin, duke përmirësuar cilësinë dhe kohëzgjatjen e tij.
Ndihmon në uljen e presionit të gjakut
Reduktimi i natriumit, ulja e inflamacionit dhe humbja e peshës janë faktorë që mund të kontribuojnë në uljen e presionit të gjakut. Përmirësimi i ndjeshmërisë ndaj insulinës gjithashtu lidhet me stabilizimin e tensionit arterial.
Megjithatë, specialistët rekomandojnë që personat me sëmundje kronike të konsultohen me mjekun përpara se të fillojnë agjërimin, në mënyrë që të shmangen rreziqet e mundshme shëndetësore.
Flaka
















