Alarm për Kombëtaren : Ismajli lë fushën i dëmtuar
Torino është mposhtur në transfertë nga Parma me rezultatin 2-1, në sfidën e vlefshme për javën e 5-të të Serie A, e zhvilluar në stadiumin “Ennio Tardini”.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 36-të, kur Mateo Pellegrino shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, pas një prekjeje me dorë të mbrojtësit shqiptar Ardian Ismajli.
Torino barazoi përkohësisht në minutën e 49-të me anë të Cyril Ngonge, por vendasit reaguan sërish. Në minutën e 72-të, Pellegrino realizoi dopietën e tij, duke vulosur fitoren e parë të Parmës në këtë sezon.
Një moment shqetësues ndodhi në minutën e 77-të, kur Ardian Ismajli u detyrua të linte fushën për shkak të një dëmtimi në kofshën e djathtë, duke ngritur alarmin edhe për Kombëtaren shqiptare në prag të ndeshjes me Serbinë.
Kristjan Asllani ishte titullar për Torinon, por nuk arriti të linte gjurmë gjatë 71 minutave në fushë.
Pas kësaj humbjeje, Torino zbret në vendin e 14-të me vetëm 4 pikë, ndërsa Parma ngjitet në vendin e 13-të me 5 pikë.
Flaka
















