Arbeloa kritikon Real Madridin: “Talenti nuk mjafton, duhet më shumë sakrificë”
Álvaro Arbeloa ka dhënë një deklaratë të fortë në lidhje me paraqitjet e fundit të skuadrës madrilene, duke theksuar mungesën e përkushtimit fizik dhe shpirtit luftarak në fushë.
Arbeloa u shpreh i zhgënjyer nga fakti që skuadra e tij vrapon më pak se kundërshtarët, duke e konsideruar këtë si një problem serioz për një klub me historinë dhe standardet e Real Madridit.
“Dhemb të shohësh që të gjitha skuadrat vrapojnë më shumë se ne. Duhet të vrapojmë më shumë… ky është Real Madridi”, deklaroi ai.
Sipas tij, futbolli modern kërkon shumë më tepër se talent individual. Ai theksoi rëndësinë e presionit, mbrojtjes dhe disiplinës taktike, duke shtuar se lojtarët duhet ta kuptojnë përgjegjësinë që mbartin kur veshin fanellën e bardhë.
“Duhet të vrapojmë më shumë, të bëjmë presing dhe të mbrojmë. Talenti i vetëm nuk mjafton më”, u shpreh Arbeloa.
Në fund, ai rikujtoi filozofinë tradicionale të klubit, duke nënvizuar se Real Madridi nuk është ndërtuar mbi luksin apo komoditetin, por mbi punën e palodhur dhe sakrificën.
“Real Madridi nuk është ndërtuar nga lojtarë që zbresin në fushë si me kostum. Është një klub që kërkon lojtarë që e përfundojnë ndeshjen me fanellë të lagur nga djersa, përpjekja dhe sakrifica”, përfundoi ai.
Flaka
















