Arrestohet 29-vjeçari nga Shkupi për armëmbajtje pa leje dhe dhunë ndaj bashkëshortes
Njësia për Krim të Dhunshëm e Stacionit Policor Shkup ka ngritur kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar kundër A.R., 29 vjeç nga Shkupi, për dy vepra penale: “mbajtje dhe tregtim i paautorizuar i armëve dhe eksplozivëve” dhe “dëmtime trupore”, transmeton Flaka
Më 8 qershor 2025, rreth orës 20:30, policia arrestoi A.R. në shtëpinë e tij në lagjen Bit Pazar në Shkup, pasi ishte raportuar se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 33-vjeçare, duke përdorur edhe një mjet të fortë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, me urdhër të Gjykatës Themelore në Shkup, policia gjeti dhe konfiskoi:
- 1,167 fishekë të ndryshëm
- një armë automatike kalibri 7.62×39 mm
- një pistoletë “Zoraki” për sinjalizim drite dhe zëri, e modifikuar në armë zjarri kalibri 7.65 mm
- një pistoletë gjysmëautomatike “Ranger” kalibri 9 mm
- një pistoletë pneumatike
- një granatë dore
- korniza për armë automatike, çanta për pistoleta, pjesë armësh, thika dhe sende të tjera të dyshimta
Gjykata ka vendosur që A.R. të mbahet në arrest për 30 ditë.