Atë që se bëri qeveria në Shkup, e bëri ambasadori i Shqipërisë, Denion Mejdani!
Editorial Flaka
Në një kohë kur sporti duhet të jetë urë bashkimi dhe krenarie për të gjithë qytetarët e një vendi, shpërfillja institucionale ndaj sportistëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë një plagë e hapur për barazinë dhe drejtësinë shoqërore. Rasti më i fundit – ai i futbollistit të talentuar Nedim Bajrami – flet më shumë sesa një nderim i munguar; ai është një pasqyrë e qëndrimit të institucioneve shtetërore karshi qytetarëve të barabartë vetëm në teori.
Bajrami, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, sot përfaqëson Shqipërinë me dinjitet në arenën ndërkombëtare. Ai është një nga zërat më të bukur të talentit sportiv shqiptar që ka kaluar përtej kufijve, por jo përtej shpërfilljes së vendit nga i cili rrjedh. Ndërsa Kryeministri Hristijan Mickoski heshti ndaj këtij suksesi, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup tregoi se respekti dhe krenaria nuk kanë nevojë për protokoll, por për ndjeshmëri kombëtare dhe njohje njerëzore.
Ambasadori Denion Mejdani, me pritjen që i bëri Bajramit dhe me fjalët plot dinjitet – “një djalë shembullor, brenda dhe jashtë fushës” – nuk bëri vetëm një gjest simbolik. Ai dha një mesazh të qartë: kur institucionet vendore dështojnë të njohin dhe të vlerësojnë qytetarët e vet, kombi nuk harron bijtë e tij. Ky ishte një akt i vogël në formë, por i madh në kuptim – një porosi diplomatike, një kritikë e heshtur, por e thellë, ndaj një qasjeje politike që vazhdon të anashkalojë realitetin multietnik të vendit.
Sportistët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë atë që u takon: dinjitetin, vlerësimin dhe përkrahjen që çdo shtet duhet t’ua japë atyre që e përfaqësojnë me nder. Është pikërisht kjo mungesë që i shtyn shumë prej tyre të gjejnë mbështetje jashtë kufijve, në një Shqipëri që gjithnjë e më shumë po bëhet strehë emocionale dhe morale për shqiptarët kudo që ndodhen.
Përderisa qeveria maqedonase hesht, sportistët shqiptarë flasin me rezultate. Ata nuk janë thjesht figura të suksesit në sport – ata janë ambasadorë të vlerave, të qëndrueshmërisë dhe të krenarisë kombëtare. Dhe kjo krenari nuk mund të ndalet me heshtje, as me shpërfillje institucionale.
Është koha që edhe institucionet shtetërore në Shkup të kuptojnë se përfshirja e barabartë nuk është vetëm detyrim kushtetues, por edhe domosdoshmëri morale për një shoqëri të shëndoshë. Sepse kur sportistët shqiptarë ngrejnë flamuj në botë, ata nuk e bëjnë këtë për një ngjyrë të vetme – ata e bëjnë për të gjithë ne, që besojmë në vlerat e bashkëjetesës, meritës dhe respektit.