Barcelona futet në garë për Kenan Yildiz
Sipas raportimeve të fundit nga Gazzetta dello Sport, FC Barcelona është një nga klubet e interesuara për të siguruar shërbimet e Kenan Yildiz, sulmuesi i ri i Juventusit dhe përfaqësues i kombëtares së Turqisë.
Yildiz, vetëm 20 vjeç, ka shpërthyer këtë sezon me paraqitje të shkëlqyera në Serie A dhe Champions League, duke tërhequr vëmendjen e disa gjigantëve europianë, përfshirë edhe PSG dhe Chelsea.
Megjithatë, transferimi i tij drejt Camp Nou shihet si shumë i vështirë, pasi Juventusi e ka vendosur në qendër të projektit të së ardhmes dhe raportohet se kërkon një shifër të lartë, rreth 70 milionë euro, për të nisur bisedimet.
Barcelona, e cila po kërkon të forcojë repartin ofensiv dhe të gjejë pasardhës afatgjatë për Robert Lewandowskin, e sheh Yildiz si një investim strategjik. Por, për shkak të situatës financiare të klubit, një marrëveshje do të kërkonte kreativitet në strukturën e pagesave ose përfshirjen e lojtarëve në shkëmbim.
Ky interesim i Barcelonës është gjithashtu një sinjal i qartë se Lamine Yamal nuk do të mbetet i vetmi talent i ri në planet e klubit për të ardhmen.
Flaka
















