Camavinga drejt Serie A? Juventus tenton lëvizjen surprizë
Juventusi po shqyrton një lëvizje të madhe në merkato, duke shfaqur interes për mesfushorin e Real Madridit, Eduardo Camavinga. Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, klubi torinez po mendon një marrëveshje huazimi për talentin francez, i cili mund të kërkojë më shumë minuta loje në sezonin e ardhshëm.
Camavinga, vetëm 23 vjeç, ka arritur të fitojë dy Liga të Kampionëve, dy tituj të La Ligës dhe një Kupë të Mbretit me Real Madridin, por këtë sezon ka pasur më pak hapësira si titullar, duke u aktivizuar në vetëm 16 ndeshje në kampionat. Për më tepër, ai nuk është përfshirë në planet e Didier Deschamps për Kupën e Botës 2026, çka ka shtuar spekulimet për një largim të përkohshëm.
Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se Camavinga nuk dëshiron të largohet përfundimisht nga Madridi, por një huazim te një klub i madh evropian ku do të kishte rol kryesor mund të jetë një opsion i pranueshëm.
Juventusi shihet si një nga klubet e interesuara, duke kërkuar të forcojë mesfushën, e cila këtë sezon ka qenë e varur nga Manuel Locatelli dhe Khephren Thuram. Klubi italian mund t’i ofrojë francezit një rol të rëndësishëm në projektin e ri sportiv.
Megjithatë, marrëveshja mbetet e vështirë dhe do të varet edhe nga zhvillimet e tjera në skuadër, përfshirë të ardhmen e Teun Koopmeiners, i cili gjithashtu mund të largohet në formë huazimi nëse nuk gjen hapësirën e duhur në Torino.
Flaka












