Carlo Ancelotti flet për krizën te Real Madrid: “Gjenerata e vjetër duhet të rindërtohet”
Trajneri italian Carlo Ancelotti ka analizuar situatën aktuale te Real Madrid, duke pranuar se klubi po kalon një periudhë tranzicioni pas largimit të disa prej figurave më të rëndësishme të viteve të fundit.
Sipas Ancelottit, humbja e lojtarëve si Casemiro, Luka Modrić, Toni Kroos dhe Karim Benzema ka ndikuar jo vetëm në cilësinë teknike të skuadrës, por edhe në karakterin dhe atmosferën brenda dhomave të zhveshjes.
“Gjenerata e vjetër duhet të rindërtohet. Reali humbi lojtarë shumë të rëndësishëm. Atmosfera në skuadër vjen nga futbollistët që kanë më shumë karakter, personalitet dhe lidership”, deklaroi italiani.
Tekniku madrilen theksoi se rikthimi i balancës dhe mentalitetit fitues kërkon kohë, duke nënvizuar se suksesi nuk lidhet vetëm me talentin individual.
“Real Madridit i duhet kohë për të rindërtuar këtë ambient që i solli kaq shumë suksese. Nuk është vetëm problem i cilësisë teknike. Për të fituar, duhet të gjesh edhe balancën e duhur”, shtoi ai.
Deklaratat e Ancelottit vijnë në një moment kur shumë tifozë dhe analistë po diskutojnë për nevojën e një epoke të re në “Bernabéu”, me lojtarë të rinj që pritet të marrin përgjegjësi më të mëdha në sezonet e ardhshme.
Flaka
















