Carlos Baleba, objektivi i madh i United për merkaton e janarit
Manchester United ka shpenzuar shuma të mëdha në merkaton e verës për të forcuar repartin ofensiv, duke sjellë emra si Bryan Mbeumo, Matheus Cunha dhe Benjamin Sesko, por dilemat për mesfushën dhe mbrojtjen mbeten të hapura.
Trajneri Ruben Amorim kërkon ende muskuj të rinj në mesfushë dhe objektivi kryesor është mesfushori kamerunas i Brighton, Carlos Baleba. Djajtë e Kuq tentuan ta transferonin gjatë verës, por nuk arritën marrëveshje me klubin anglez, i cili e vlerëson lojtarin mbi 100 milionë paund.
Sipas raportimeve të Football Insider, Baleba dëshironte kalimin në Old Trafford dhe United pritet të rikthehet me një ofertë të re në janar. Megjithatë, çmimi i lartë mbetet pengesa kryesore.
Ndërkohë, 21-vjeçari ka pasur një fillim të vështirë sezoni me Brighton, duke mos arritur të luajë mbi 70 minuta në asnjë ndeshje të Premier League apo League Cup. Kjo ka shtuar spekulimet se dëshira për transferim i ka ndikuar performancat.
Baleba, i cili iu bashkua Brighton nga Lille në vitin 2023 dhe ka tetë paraqitje me kombëtaren e Kamerunit, shihet si një talent “sensacional” dhe është vlerësuar edhe nga Pep Guardiola. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse United do të arrijë të bindë Brighton për një marrëveshje në muajt e ardhshëm.
Flaka
















