Casemiro konfirmon fundin e aventurës te Manchester United
Mesfushori brazilian Casemiro ka konfirmuar largimin e tij nga Manchester United, duke dhënë një deklaratë emocionale që ka bërë jehonë te tifozët e “Djajve të Kuq”.
Në fjalët e tij, ish-ylli i Real Madrid theksoi se dëshiron të largohet “nga dera e madhe”, duke lënë pas kujtime pozitive dhe respekt nga të gjithë në klub.
“Gjëja më e mirë në këtë moment, siç themi në Spanjë, është të largohem nga dera e madhe. Largohem me një ndjenjë të mirë. Të gjithëve do t’u mungojë Casemiro, e kupton?”, deklaroi braziliani.
Casemiro gjithashtu bëri krahasim me periudhën e tij te Real Madridi, duke thënë se edhe atje njerëzit vazhdojnë ta kujtojnë dhe ta respektojnë për atë që dha në fushë.
“Ishte e njëjta gjë edhe në Madrid. Të gjithëve u mungoj atje. Tani është e njëjta situatë edhe këtu”, shtoi ai.
Pavarësisht ulje-ngritjeve gjatë aventurës së tij në “Old Trafford”, Casemiro mbetet një nga figurat më me eksperiencë dhe karakter në dhomat e zhveshjes, ndërsa largimi i tij mund të shënojë fundin e një epoke të rëndësishme për mesfushën e United.
Tani mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm i brazilianit, ndërsa shumë klube po monitorojnë situatën e tij.
Flaka
















