Chelsea synon Granit Xhakën, mesfushori dëshiron transferimin në “Stamford Bridge”
Chelsea ka intensifikuar interesimin për transferimin e mesfushorit zviceran Granit Xhaka, teksa drejtuesit e klubit londinez e shohin atë si një figurë ideale për të sjellë më shumë përvojë dhe lidership në dhomat e zhveshjes.
Sipas raportimit të The Athletic, drejtuesit e “Bluve” besojnë se skuadra ka nevojë për zëra më të pjekur brenda grupit dhe ndikimi që Xhaka pati sezonin e kaluar te Sunderland, si në fushë ashtu edhe jashtë saj, konsiderohet një element që mund t’i shërbejë menjëherë Chelsea-t.
Raporti thekson se ky interes është dëshmia më e qartë se Chelsea nuk synon vetëm lojtarë të rinj, por është i gatshëm të investojë edhe te futbollistë me përvojë, të gatshëm për të bërë diferencën që në momentin e parë.
Edhe pse ende nuk është arritur një marrëveshje mes klubeve, burimet bëjnë të ditur se të dyja palët kanë interes për realizimin e transferimit. Chelsea e dëshiron Xhakën, ndërsa edhe vetë futbollisti është i hapur për kalimin në “Stamford Bridge”.
Nga ana tjetër, Sunderland nuk ka ndërmend ta lërë lehtë të lirë mesfushorin, i cili ka edhe dy vite kontratë. Klubi pritet të kërkojë një shumë të konsiderueshme për kartonin e tij dhe zyrtarisht e konsideron lojtarin si “jo në shitje”, megjithëse zhvillimet e ardhshme mund ta ndryshojnë situatën.
Flaka












