Conte shpërthen pas humbjes: “Napoli nuk ka më shpirt skuadre”
Napoli pësoi një tjetër goditje në Serie A, duke u mposhtur 2-0 nga Bologna në “Dall’Ara”. Trajneri Antonio Conte nuk e fshehu zhgënjimin e tij, duke kritikuar hapur mungesën e energjisë dhe entuziazmit te skuadra.
“Bologna pati më shumë energji në çdo aspekt. Ata kishin më shumë dëshirë dhe entuziazëm. Ne bëmë vetëm detyrën tonë derisa ndeshja ishte në ekuilibër, por më pas u shkrimë. Duhet të kemi një energji ndryshe,” tha Conte për DAZN.
Ai vlerësoi paraqitjen e Rasmus Hojlund, duke e cilësuar si lojtarin më të mirë të skuadrës në këtë ndeshje, ndërsa pranoi se Napoli po kalon një periudhë të vështirë: “Jam i shqetësuar. Nëse një skuadër pretendente humb pesë ndeshje, do të thotë se diçka nuk po funksionon siç duhet. Vitin e kaluar bëmë diçka të jashtëzakonshme, por tani energjia ka ndryshuar.”
Conte mori përsipër përgjegjësinë, por paralajmëroi se problemi nuk është vetëm taktik: “Kur flas për energji, flas për zemër, pasion, entuziazëm. Nuk mund të bësh transplant zemre, ose e ke shpirtin, ose jo. Unë nuk dua të udhëheq një skuadër të vdekur.”
Me këtë rezultat, Napoli regjistroi humbjen e pestë këtë sezon, duke rritur presionin mbi trajnerin italian dhe skuadrën që kishte nisur sezonin me ambicie të mëdha.
Flaka
















