Deri në 5 filxhanë kafe në ditë? Ja çfarë thonë ekspertët për shëndetin e zemrës
Kafeja mund të mos jetë aq e keqe për zemrën sa mendohet. Një deklaratë e re shkencore e Shoqatës Amerikane të Zemrës, e publikuar në revistën “Circulation”, ka shqyrtuar studimet e fundit mbi ndikimin e kafesë dhe kafeinës në shëndetin kardiovaskular.
Sipas të dhënave të analizuara, konsumimi deri në 400 miligramë kafeinë në ditë konsiderohet i sigurt për shumicën e të rriturve. Kjo sasi korrespondon përafërsisht me 3 deri në 5 filxhanë kafe, në varësi të përmbajtjes së kafeinës.
Studimet e shqyrtuara sugjerojnë se konsumimi i moderuar i kafesë së zezë, veçanërisht pa sheqer, shurupe, kremra apo përbërës të tjerë shtesë, mund të lidhet me një rrezik më të ulët për disa probleme shëndetësore, përfshirë diabetin e tipit 2, sëmundjet e arterieve koronare, goditjen në tru dhe insuficiencën kardiake.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se jo të gjithë reagojnë njësoj ndaj kafeinës. Tek disa persona ajo mund të shkaktojë rritje të përkohshme të tensionit arterial dhe rrahjeve të zemrës, ndërsa mund të ndikojë edhe në gjumin.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe pijeve energjike, pasi marrja e sasive të larta të kafeinës përmes tyre mund të ndikojë negativisht në sistemin kardiovaskular dhe të rrisë rrezikun për tension të lartë dhe çrregullime të ritmit të zemrës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ende nuk është e qartë nëse përfitimet e mundshme vijnë drejtpërdrejt nga kafeina, pasi kafeja përmban edhe shumë përbërës të tjerë me veti antioksiduese dhe antiinflamatore.
Në përfundim, për shumicën e të rriturve të shëndetshëm, konsumimi i moderuar i kafesë së zezë mund të jetë pjesë e një stili jetese të shëndetshëm, por sasia ideale ndryshon nga personi në person.
Flaka










