Dorëheqje e Kryeshefit të Policisë së Gostivarit, Abdil Bilalli
Kryeshefi i Policisë së Gostivarit, Abdil Bilalli, nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, ka dhënë dorëheqje nga funksioni i tij, pas pesë muajsh në këtë detyrë, transmeton Flaka. Dorëheqja e tij vjen në kohën e zhvillimeve të rëndësishme politike brenda ASH-së dhe pas vendimit të strukturës për të lëshuar postet zyrtare që kanë mbajtur në qeveri dhe institucione.
Në një deklaratë publike, Bilalli tha se ky vendim nuk është heqje dorë nga përgjegjësia, por një shenjë e ndershmërisë politike dhe dëshmi se për Aleancën për Shqiptarët pushteti nuk është qëllim në vetvete.
“Detyrën si Kryeshef i Policisë e kam kryer me përkushtim, ndershmëri dhe faqebardh, gjithmonë pranë qytetarëve. Lëvizjet tona nuk janë të rastësishme, por të menduara dhe të udhëhequra nga kërkesat reale të popullit,” – tha Bilalli.
Ai theksoi se dorëheqja nuk është largim nga qëllimi, por përgatitje për një rikthim më të fuqishëm, duke shtuar:
“Po bëjmë një hap mbrapa, me qëllimin që të bëjmë një hap shumë më të madh përpara.”
Bilalli falënderoi qytetarët e Gostivarit për përkrahjen, veçanërisht fshatin e tij Çegran, duke thënë se uniteti i tyre ishte burim force dhe krenarie:
“Një trup, një zemër, një zë – kështu më përkrahën njerëzit e mi.”
Bilalli përfundoi me një mesazh besimi:
“Sot mund të largohemi nga një post, por nesër do të jemi më pranë jush se kurrë më parë.”
Dorëheqja e Abdil Bilallit vjen në një moment kur Aleanca për Shqiptarët po ndjek një kurs të ri politik, duke u shkëputur nga pjesëmarrja në pushtet dhe duke theksuar rikthimin te baza. Flaka