E ardhmja e Lewandowskit në pikëpyetje
E ardhmja e sulmuesit polak Robert Lewandowski te FC Barcelona është vënë sërish në pikëpyetje, pasi nga Italia raportohen zhvillime konkrete për interesimin e Juventus FC.
Sipas mediave spanjolle, përfshirë Sport, klubi bardhezi i ka paraqitur një ofertë zyrtare sulmuesit: kontratë njëvjeçare me pagë neto rreth 6 milionë euro, plus bonuse.
Raportohet se propozimi ka ardhur pas një takimi mes agjentit të lojtarit, Pini Zahavi, dhe drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Damien Comolli, ndërsa negociatat po ecin në drejtim pozitiv.
Juventusi e konsideron Lewandowskin objektivin kryesor për repartin ofensiv dhe madje ka pezulluar bisedimet për rinovimin e kontratës me Dušan Vlahović, në pritje të vendimit final të polakut.
Një kusht i rëndësishëm për realizimin e marrëveshjes mbetet kualifikimi i Juventusit në UEFA Champions League.
Nga ana tjetër, Barcelona i ka ofruar Lewandowskit rinovim kontrate, por me kushte më të ulëta financiare dhe pa garanci për rol titullari, duke shtuar dilemat për të ardhmen e tij, edhe pse lojtari ndihet mirë në Katalonjë.
Flaka
















