E vërteta është se, unë kam nevojë për dikë, ashtu si të gjithë të tjerët”, thotë Jude për shëndetin mendor
Ylli i Real Madrid dhe kombëtares së Anglisë, Jude Bellingham, ka vendosur të ndajë publikisht përvojën e tij personale mbi shëndetin mendor, në një intervistë për Laureus. Mesfushori 22-vjeçar theksoi se, pavarësisht imazhit të fortë që shpesh shfaqin sportistët, edhe ata përballen me momente të vështira dhe ndjenja pasigurie.
“Me zhvillimin e rrjeteve sociale dhe teknologjisë, sot ka më shumë mënyra për të sulmuar dikë. Ka ende një stigmë rreth të folurit për shëndetin mendor. Edhe unë kam pasur momente kur jam ndjerë i brishtë, kam dyshuar tek vetja dhe kam pasur nevojë për dikë me të cilin të flas. Por shpesh kam tentuar të ruaj atë imazh të sportistit ‘macho’ që nuk ka nevojë për askënd”, tha Bellingham.
Ai shtoi se e vërteta është se të gjithë kemi nevojë për dikë, dhe se ndarja e emocioneve është një hap i madh drejt përmirësimit. “Do të ndiheni shumë më mirë nëse flisni për ndjenjat dhe emocionet tuaja”, theksoi ai.
Bellingham u shpreh se sportistët shpesh perceptohen sikur kanë botën në duar, por realiteti është ndryshe: “Nëse tregojmë vulnerabilitetin tonë, hapim një dialog më të gjerë për ata që vuajnë në heshtje. Është detyra jonë si figura publike të jemi modele pozitive”.
Deklarata e tij është pritur me shumë vlerësim, duke u parë si një hap i rëndësishëm për të thyer tabutë mbi shëndetin mendor në sportin elitar.
Flaka
















