Ekspertët paralajmërojnë: Konsumi i tepërt i qumështit lidhet me fraktura dhe probleme shëndetësore
Një studim i kryer në Suedi ka ngritur shqetësime mbi konsumin e tepërt të qumështit. Sipas studiuesve, pirja e tri ose më shumë gotave në ditë mund të shoqërohet me rrezik më të lartë të vdekshmërisë dhe frakturave të kockave.
Rezultatet janë veçanërisht alarmante për gratë: ato që konsumojnë mbi tre gota në ditë kanë dyfish më shumë gjasa për vdekje krahasuar me ato që pinë më pak se një gotë. Tek meshkujt efektet janë më të buta, por gjithsesi rritet rreziku i vdekshmërisë.
Përveç rreziqeve afatgjata, konsumimi i tepërt i qumështit mund të shkaktojë edhe efekte anësore si lodhje, fryrje, akne dhe probleme të tretjes.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë që qumështi duhet shmangur. Përveç kalciumit, ai përmban vitaminë D, vitaminë B12 dhe proteina, të cilat janë thelbësore për shëndetin. Studime të tjera madje sugjerojnë se konsumimi i moderuar i qumështit mund të ulë rrezikun e sëmundjeve kronike.
Rekomandimi i specialistëve është i qartë: një gotë qumësht në ditë është e mjaftueshme për të përfituar nga vlerat ushqyese pa rrezikuar shëndetin.
Flaka
















