Emërohen drejtorë të ri të disa institucioneve publike – LSDM: VMRO-DPMNE na kthen në kohën e Gruveskit
Në vend të Ejup Rustemit, ushtures detyre drejtor i ri i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, Qeveria në seancën e dytë të djeshme emëroi Koce Trajanovskin, ish-kryetar i komunës së Shkupit për dy mandate nga viti 2009-2017, përcjell FLAKA.
Ai nuk ka qenë i disponueshëm për koment, por sipas burimeve partiake, emërimi i tij vjen si pasojë e imazhit pozitiv që ka ndërtuar në menaxhimin e projekteve të infrastrukturës gjatë kohës që ishte kryetar komune.
Derisa ishte njeriu i parë i Qytetit të Shkupit, kishte buxhet prej rreth 60 deri në 100 milionë, ndërsa tani si drejtor i Rrugëve shtetërore do të ketë në dispozicion rreth 625 milionë euro. Sfida kryesore tani do të jetë projekti i “Bechtel dhe Enka”, për të cilin VMRO-DPMNE kundërshtoi dhe njoftoi deklasifikimin e Marrëveshjes, me vlerë mbi 1.3 miliardë euro.
Për emërimin e Trajanovskit ka reaguar LSDM opozitare. Nga partia opozitare thonë se Trajanovskit, i cili është bashkëpronar dhe menaxher i një kompanie ndërtimore, i është caktuar pozita shtetërore, për të cilën sipas tyre ekziston rreziku për korrupsion të madh.
“Është më tronditëse që kryetari i komunës që kreu krimin më të madh ndërtimor në historinë e vendit, projektin Shkupi 2014, tash do të ketë fuqi të menaxhojë projektet më të mëdha të infrastrukturës dhe ndërtimore”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Përveç Trajanovskit, Qeveria dje ka emëruar Aleksandar Pandov për drejtor të Drejtorisë për përmbarim të sanksioneve, Sasho Klekovskin ushtrues detyrës së drejtorit të ri të Fondit për sigurim shëndetësor, Oliver Millanov ushtrues detyrës së drejtorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Zdravko Trajanovin ushtrues detyre drejtor i Pyjeve dhe Goce Dimovski në vendin e Jovan Septoovskit në TIRZ.
Më herët, në seancën e rregullt, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë u zgjodh Igor Janushev, Elena Petrova për drejtoreshë të re të Drejtorisë së të hyrave publike, Ivica Tomovski në Shërbimin për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta, Boban Nikollovski në Drejtorinë doganore dhe Aleksandar Janev në Byronë e Sigurisë Publike.
Të gjitha institucionet shtetërore pritet të marrin udhëheqje të re gjatë verës, ndërsa së shpejti kryeministri Mickoski duhet të propozojë edhe zgjedhjen e zëvendësministrave. FLAKA
















