Flaka analizon: Urdhër i paligjshëm në institucion shtetëror – shqipja përjashtohet nga dokumentet zyrtare

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Maj, 2025 18:59

Flaka analizon: Urdhër i paligjshëm në institucion shtetëror – shqipja përjashtohet nga dokumentet zyrtare

Një urdhër verbal i lëshuar nga motra kryesore në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë ka ngritur alarmin për diskriminim gjuhësor dhe shkelje të ligjit për përdorimin e gjuhëve zyrtare në Maqedoninë e Veriut, shkruan Flaka. Sipas denoncimeve të punonjësve për Alsat, motra kryesore ka urdhëruar që vërtetimet për vaksinim të jepen vetëm në gjuhën maqedonase, duke ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe në këto dokumente.

“Nuk kam asgjë kundër dygjuhësisë, por deri më sot kemi dhënë vërtetime vetëm në maqedonisht. Sot në dy gjuhë. Mos i ngatërroni punët. Nga tani e tutje, vetëm kështu dhe askujt të mos i shkojë ndër mend të kërkojë ndryshe,” citohet të ketë thënë motra kryesore, sipas dëshmive të siguruara nga stafi shëndetësor.

Ky urdhër, i padokumentuar në formë zyrtare, është cilësuar nga vetë drejtori i institucionit, Sedat Zylbehari, si i paligjshëm. Megjithatë, ai e ka justifikuar veprimin duke e quajtur “të përkohshëm”, deri në përfundimin e disa materialeve ekzistuese të shtypura më herët vetëm në maqedonisht.

“Gati të gjitha dokumentet tashmë lëshohen në dy gjuhë. Për ftesat dhe vërtetimet aktuale për vaksinim, po shfrytëzojmë stokun e vjetër për të mos shkaktuar shpenzime shtesë,” thuhet në reagimin zyrtar të Shtëpisë së Shëndetit Publik në Kumanovë.

Kjo nuk është hera e parë që brenda këtij institucioni ngrihen akuza për shkelje të të drejtave gjuhësore dhe diskriminim ndaj stafit shqiptar. Punonjës të këtij institucioni kanë denoncuar vazhdimisht mosrespektimin e përdorimit të gjuhës shqipe në dokumentacionin zyrtar, mungesën e avancimeve për kuadrin shqiptar dhe vendime administrative të njëanshme.

Sipas burimeve të brendshme, shqetësimet janë të thella dhe sistematike. Së fundmi, edhe policia ka ngritur kallëzim penal ndaj një ish-drejtori të institucionit për punësime në kundërshtim me ligjin.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut është i qartë: në zonat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë, institucionet publike janë të detyruara të ofrojnë dokumentacion dygjuhësh. Refuzimi i këtij detyrimi jo vetëm që përbën shkelje ligjore, por mund të cilësohet edhe si diskriminim institucional.

Portali ynë po ndjek zhvillimet dhe do të publikojë informacione shtesë nëse ka reagime nga Ministria e Shëndetësisë, Avokati i Popullit, subjektet politike dhe institucionet e tjera. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Maj, 2025 18:59
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media