Flick paralajmëron rotacione ndaj Espanyol
Trajneri i FC Barcelona, Hansi Flick, ka dalë në konferencë për shtyp para përballjes ndaj Espanyol, duke prekur disa nga temat më të rëndësishme që lidhen me skuadrën dhe objektivat e sezonit.
Flick nuk përjashtoi mundësinë e rotacioneve në formacion, duke theksuar se menaxhimi i minutave është thelbësor në këtë fazë të sezonit. “Do të shohim, duhet të menaxhojmë lojtarët, por kushdo që luan do të bëjë një punë fantastike”, deklaroi ai.
Sa i përket objektivave, tekniku gjerman nënvizoi rëndësinë e La Liga, por e bëri të qartë se ëndrra e madhe mbetet UEFA Champions League. “La Liga është shumë e rëndësishme, por për të gjithë ëndrra është Champions League”, tha Flick.
Ai komentoi edhe vendimet e diskutueshme të VAR-it në ndeshjen ndaj Atlético Madrid, duke lënë të kuptohet se një moment i tillë ndikoi drejtpërdrejt në rezultat. “Mund të bësh një gabim, por jo dy. Ai moment vendosi ndeshjen”, u shpreh trajneri.
Në lidhje me gjendjen e skuadrës, Flick konfirmoi se Frenkie de Jong është rikthyer gradualisht dhe do të jetë në stol, ndërsa për Lamine Yamal nuk ka ende një vendim përfundimtar nëse do të pushojë apo jo. Po ashtu, Gavi mbetet një opsion për formacionin titullar, por me kujdes në minutazh.
Ndërkohë, për të ardhmen e Robert Lewandowski, Flick zgjodhi të mos japë detaje, duke theksuar se nuk është momenti i duhur për të diskutuar këtë çështje.
Flaka
















