Gjermania teston robotin “Byte”: Inteligjenca artificiale në shërbim të luftës kundër zjarreve
Një projekt inovativ i quajtur “Wildfire Twins”, i bazuar në Universitetin Christian-Albrechts të Kielit, po përpiqet të zhvillojë teknologji të reja për të luftuar zjarret e egra duke përdorur inteligjencën artificiale (IA). Projekti, i financuar me rreth 2 milionë euro fonde evropiane, drejtohet nga shkencëtari i kompjuterave Pirk.
Në qendër të tij është roboti “Byte”, një pajisje 25 kilogramëshe me kosto rreth 100,000 euro, e cila aktualisht përdoret për mbledhjen e të dhënave dhe simulime virtuale. Përmes modeleve 3D të pemëve, shkurreve dhe barërave, studiuesit po krijojnë një mjedis trajnimi fotorealist për IA, i ngjashëm me një videolojë kompjuterike, por me qëllim shkencor.
Qëllimi është që në të ardhmen, robotët dhe dronët e pajisur me IA të jenë në gjendje të analizojnë drejtimin e përhapjes së flakëve, të identifikojnë zonat në rrezik dhe të rekomandojnë masa emergjente. Aktualisht, Byte po teston skenarë të ndryshëm në një shkollë zjarrfikësish në Schleswig-Holstein, duke mbledhur të dhëna mbi intensitetin e zjarreve.
Ekspertët theksojnë se kjo teknologji mund të bëhet një mjet i vlefshëm për zjarrfikësit, duke i mbajtur ata larg rrezikut dhe duke u dhënë më shumë kohë për të shpëtuar jetë. Megjithatë, përdorimi praktik në terren pritet të ndodhë vetëm pas disa vitesh kërkimesh dhe testimesh.
Flaka
















