Grafite që duan vdekjen e shqiptarëve!
Këto grafite duken nga rruga, duke dërguar një mesazh të qartë për të gjithë ata që kalojnë, t’u jepet mesazhi dhe diskursi i urrejtjes etnike të imponuar ndaj qytetarëve. Gjuha e urrejtjes nuk është shuar, por padyshim është një lexim relativisht i ri për të gjithë ata që kalojnë pranë kinemasë, si dhe për ata që mblidhen në orët e mbrëmjes para saj
Pas tifozëve me brohoritje kundër shqiptarëve dhe gjuhë të urrejtjes nga më të ndryshme, në rrugët e Shkupit kanë filluar të shfaqen grafitet dhe shkrimet me gjuhë të urrejtjes dhe jotolerancë kundër shqiptarëve. Në lagjen Maxhari të Shkupit, në objektin e kinemasë “Maxhari”, shihet një grafit me mbishkrimin “Shqiptari vdekur, shqiptari mirë”. Duke bërë thirrje për vdekjen e shqiptarëve por gjithashtu duke përdorur edhe termin “Shiptar” në gjuhën maqedonase e cila është një term ofendues.
Këto grafite duken nga rruga, duke dërguar një mesazh të qartë për të gjithë ata që kalojnë, t’u jepet mesazhi dhe diskursi i urrejtjes etnike të imponuar ndaj qytetarëve. Gjuha e urrejtjes nuk është shuar, por padyshim është një lexim relativisht i ri për të gjithë ata që kalojnë pranë kinemasë, si dhe për ata që mblidhen në orët e mbrëmjes para saj.
Ekspertët dhe njohësit e fushës thonë se gjuha e urrejtjes është pleh kulturor e cila kultivohet ndër vite nga njerëzit me patologji mendore dhe që kanë pikëpamje të shtrembëruara për botën. Profesori universitar Murat Aliu, për gazetën KOHA, ka deklaruar se duhet të kemi parasysh që gjuhës së urrejtjes me motive etnike gjithmonë i paraprin një diskurs me motive të tilla nga qendra të caktuara të pushtetit. Sipas tij, në rastin tonë në rend të parë pushtetit politik. Sipas tij, rikthimi në gjuhën e preferuar tonën, pra atë të urrejtjes nuk është ndonjë risi e madhe në kushtet kur Ballkani në përgjithësi, e në veçanti Maqedonia, pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë.
“Për më tepër, gjuha e urrejtjes karshi shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është refleksion i një triumfalizmi nacionalist që u shpërfaq pas fitores së VMRO-DPMNE në zgjedhjet e tetë majit. Është shpërthim i një ndenjjeje të shtypur përgjatë viteve të kaluara, dhe fitorja e VMRO-DPMNE-së përbën një momentum për të shfryrë gjithë atë mllef kundër shqiptarëve të akumuluar për një kohë të gjatë nga qarqet nacionaliste maqedonase. Në këtë kontekst, kjo gjuhë jep edhe sihariqin se cilat do të jenë temat domninate në diskursin politik e publik përgjatë këtyre viteve të ardhshme. Fakt ky që është për keqardhje”, ka deklaruar në fund Aliu, profesor universitar.
Nga ana tjetër, një hulumtim i kryer në mars të këtij viti nga Instituti për Hulumtime Politike Detektor, zbulon se 90 për qind e qytetarëve kanë vënë re përhapjen e gjuhës së urrejtjes në shoqërinë e tyre, kryesisht përmes rrjeteve sociale, rrugë apo mënyra të tjera që kanë pasur motive politike, etnike apo religjioze. I njëjti hulumtim thotë se një nga tre qytetarë beson se kjo gjuhë është inkurajuar nga bindjet politike, ndërsa një pjesë e vogël e kësaj gjuhe është e lidhur edhe me përkatësinë, pamjen fizike, besimet fetare dhe moshën.
Disa grafitë dhe mbishkrime përçojnë edhe mesazhe politike. Qytetarët shprehen të revoltuar ndaj këtyre mbishkrimeve që i hasin në çdo cep të qytetit por gjithashtu thonë se kanë problem kur marrin iniciativa për mirëmbajtjen e banesave sepse shpeshherë këto mbishkrime përsëriten. Gjuha e urrejtjes e shprehur përmes grafitëve vërehet edhe në qytete tjera, jo vetëm në Shkup, por në kryeqytet mbizotëron. Qytetarët bëjnë thirrje deri te institucionet kompetente të ndërmerr masa për këtë fenomen që të mos përsëritet. (koha.mk)










