Graham Potter i hapur për të marrë drejtimin e Suedisë: “Është një punë fantastike”
Pas një periudhe të vështirë për kombëtaren suedeze dhe shkarkimit të trajnerit Jon Dahl Tomasson, emri i Graham Potter ka dalë në qendër të vëmendjes si kandidat potencial për stolin e “Blågult”.
Në një intervistë për Fotbollskanalen, ish-trajneri i Chelseat dhe West Ham-it deklaroi: “Puna si trajner i kombëtares së Suedisë është fantastike. Jam i hapur për çdo mundësi ku mund të ndihmoj. Kam ndjenja për Suedinë, e dua vendin dhe futbollin suedez. Kam shumë për të qenë mirënjohës ndaj futbollit suedez.”
Potter kujtoi gjithashtu lidhjen e tij personale me vendin nordik, pasi gjatë viteve 2011–2018 drejtoi Östersunds FK, duke e çuar klubin nga ligat e ulëta deri në fazën e grupeve të Europa League. Ai theksoi se aktualisht ndodhet në Suedi, në shtëpinë e tij, pas largimit nga Premier League.
Sipas mediave suedeze, Federata e Futbollit të Suedisë po shqyrton disa kandidatura për të ringritur kombëtaren, e cila pas humbjes shokuese ndaj Kosovës ndodhet në fund të grupit kualifikues për Botërorin 2026. Potter shihet si një opsion serioz, falë eksperiencës së tij dhe lidhjes së fortë me futbollin suedez.
Flaka
















