Grupe të armatosura po intimidojnë votuesit në Lushnjë
Kandidati i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ngritur një tjetër akuzë të rëndë nga qyteti i Lushnjës gjatë ditës së votimit, duke deklaruar se grupe të armatosura po lëvizin pranë qendrave të votimit me qëllim intimidimin e votuesve, transmeton Flaka Media
Në një prononcim për mediat, Korreshi tha se ka raportuar rastet në polici dhe se përballja me këto grupe ka ndodhur personalisht:
“Janë të armatosur nëpër qendra. Sa herë futet një makinë që s’e njohin, fusin duart. Ia kam dërguar rastin shefit të komisariatit. U përballa me 3 grupe që nuk janë as nga zona. I kemi me pamje, makinat, targat, çdo gjë.”
Sipas tij, dy automjete, një Golf dhe një Benz, me persona që nuk janë nga Lushnja, po përdoren për të kontrolluar dhe intimiduar votuesit që nuk njihen nga grupet pranë qendrave të votimit.
“Çdo makinë bën patronazhimin. Kush nuk njihet, tentojnë ta intimidojnë,” tha Korreshi, duke paralajmëruar se situata është e rrezikshme dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet.
Policia e Shtetit ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar mbi këto pretendime. Flaka Media