Guardiola pas dy golave të Haaland: “Jam i lumtur, por nuk mund të mbështetemi vetëm te ai”
Manchester City siguroi një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Evertonit, falë dopietës së Erling Haaland, i cili vazhdon formën e tij të jashtëzakonshme në këtë sezon. Megjithatë, trajneri Pep Guardiola u shfaq i kujdesshëm në deklaratat e tij pas ndeshjes, duke theksuar se skuadra duhet të shpërndajë më shumë përgjegjësinë për golat.
“Jam pak i mërzitur sepse ai mund të kishte shënuar katër ose pesë gola, dhe shënoi vetëm dy,” tha Guardiola me humor, përpara se të shtonte seriozisht: “Nuk mund të mbështetemi vetëm te Erling. Ne kemi nevojë që edhe lojtarët e tjerë – anësorët, mesfushorët ofensivë – të bëjnë hapin përpara dhe të shënojnë. Në këtë nivel, ata duhet të kërkojnë më shumë nga vetja.”
Haaland ka shënuar tashmë 11 gola në 8 ndeshje të Premier League këtë sezon, duke e vendosur veten në krye të garës për “Këpucën e Artë”. Por Guardiola e bëri të qartë se për të arritur objektivat madhorë, City ka nevojë për një kontribut më të gjerë nga e gjithë skuadra.
Kjo deklaratë shihet si një mesazh i drejtpërdrejtë për lojtarë si Jeremy Doku, Savinho dhe Tijjani Reijnders, të cilët kanë pasur raste të mira shënimi, por nuk kanë qenë aq klinikë sa Haaland.
Flaka
















