Hakimi: Futbolli i rrugës na ka bërë më inteligjentë, Salah është shembulli perfekt
Mbrojtësi maroken Achraf Hakimi ka vlerësuar rëndësinë e futbollit të rrugës në zhvillimin e lojtarëve afrikanë dhe arabë, duke theksuar se pikërisht aty lind kreativiteti dhe inteligjenca në fushën e lojës.
Në një deklaratë të fundit, ylli i Marokut u shpreh se shpesh vëmendja përqendrohet te shkollat e futbollit në vende si Brazili, Franca apo Spanja, ndërsa harrohet fakti se shumë futbollistë afrikanë dhe arabë janë rritur duke luajtur në rrugë.
“Ne fokusohemi shumë te Brazili, Franca dhe Spanja, por si arabë dhe afrikanë, shpesh harrojmë se jemi rritur duke luajtur futboll në rrugë. Pikërisht kjo na jep inteligjencë dhe kreativitet në fushë”, tha Hakimi.
Mbrojtësi veçoi edhe Mohamed Salah si shembullin ideal të këtij zhvillimi, duke vlerësuar yllin egjiptian si një futbollist që ka treguar në nivelin më të lartë se talenti i formuar në futbollin e rrugës mund të shndërrohet në sukses botëror.
Deklaratat e Hakimit kanë marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, ku shumë tifozë janë pajtuar me idenë se futbolli i rrugës vazhdon të mbetet një “shkollë” e rëndësishme për krijimin e lojtarëve me teknikë dhe imagjinatë të veçantë.
Flaka
















