“Hungarian String Harmony”, hapja solemne e edicionit të shtatë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 6 Shtator, 2024 20:56

“Hungarian String Harmony”, hapja solemne e edicionit të shtatë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”

Mbrëmjen e së enjtes, më 5 shtator 2024, në sallën kamertale të Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut u mbajt koncerti i parë i edicionit të shtatë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup, dhe me mbështetjen e ambasadës hungareze

Në hapjen solemne të festivalit për këtë vit, publiku shkupjan kishte mundësin të dëgjonte nga afër tre instrumentistë të mrekullueshëm hungarez, të cilët u prezantuan në Shkup në formacion kamertal për koncertin të titulluar “Hungarian String Harmony”. Kjo trio përbëhej nga Júlia Pusker në violinë, Máté Szűcs në violë dhe Balázs Dolfin në violonçel – instrumentistë ku karriera e të cilëve përmban shumë arritje dhe vlerësime kulminante në aspektin solistik, pavarësisht moshës së tyre të re.

Duhet theksuar se Júlia Pusker është e vlerësuar nga “Revista Strad” për “thjeshtësinë e saj magjike” dhe e përshkruar si një “aristokrate” e vërtetë e violinës nga “La Libre”, Júlia Pusker u bë e njohur ndërkombëtarisht për performansat e saj fituese të çmimeve në konkursin prestigjioz të violinës “Queen Elisabeth 2019” në Bruksel.

Violisti Máté Szűcs ka një karrierë të ndërtuar jo vetëm si fitues i shumë çmimeve solistike, por edhe në atë kamertale, si dhe për rolin bartës të violës së parë të orkestrës së Filarmonisë së Berlinit, në periudhën nga viti 2011 deri më 2018. Gjithashtu ai është i kyçur edhe në sferën e pedagogjisë, ku ndër vite ka ligjëruar nëpër disa universitete eminente në Evropë, ndërsa nga viti 2018 është profesor i violës në Universitetin e Gjenevës në Zvicër.

Si më i riu nga ta, është violonçelisti Balázs Dolfin – fitues i shumë çmimeve të para në garat ndërkombëtare. Ai ka dhënë recitale të shumta në të gjithë Evropën, Në vitin 2017 iu dha çmimi Junior Príma, çmimi më prestigjioz për artistët hungarezë. Ka diplomuar në klasën e prof. Wen-Sinn, si një ndër studentët e përzgjedhur për të ndjekur drejtimin më të lartë si solist në Evropë, të quajtur “Meisterklasse Zertifikatstudium” në Universitetin për Muzikë dhe Arte performuese në Munih.

Festivali “Skupi KamerFest” ka disa vite me radhë që bashkëpunon me ambasadën hungareze dhe mundëson që instrumentist të mrekullueshëm të interpretojnë në vendin tonë, e me mbështetjen e vazhdueshme të vet ambasadorit hungarezë András Klein, ku me fjalën hyrëse të së cilit u hap zyrtarisht edhe koncerti.

Koncerti “Hungarian String Harmony” i bashkoi këta tre instrumentistë, dhe mundësoi që publiku shkupjan të dëgjojë një program të ndërlikuar dhe jo të përditshëm nga formacione të tilla kamertale që mbahen në vendin tonë.

Pjesa e parë e koncertit përfshinte dy vepra nga kompozitorët më të njohur hungarez të fillim shekullit XX, si Duo for violin and cello Op. 7 nga kompozitori, etnomuzikologu dhe pedagogu i njohur Zoltán Kodály, si dhe Serenade for string trio Op. 10 nga Ernő Dohnányi. Vepra këto me formë ndërtimi komplekse si në aspektin arkitektonik, por edhe në materialin muzikor: ritmik, harmonik, melodik si dhe kontrapunktik të tyre. Vepra Duo for violin and cello Op. 7 nga Zoltán Kodály njihet si një ndër veprat e shumta ku Kodály pasqyron dhe modelon në mënyrë të përkryer gërshetimin por edhe kryqëzimin e materialeve nga muzika folklorike  hungareze me strukturat formale të muzikës artistike. Ndërsa Serenade for string trio Op. 10 nga Ernő Dohnányi, është vepër me karakter progresiv në mënyrën e saj, ku sjellë karakteristikat kryesore të muzikës së shekullit XX.

Pjesa e dytë e programit përfshinte veprën Divertimento for string trio in E-flat major K. 567 nga kompozitori i periudhës së klasicizmit, W.A. Mozart. Një ndër veprat më të shpeshta ne repertorin e triove. Për të cilën Alfred Einstein do të shkruante: “Çdo instrument është primus inter pares, çdo notë është domethënëse, çdo notë është një kontribut për përmbushjen shpirtërore dhe sensuale në tingull.” Ai atë e quan edhe si “një nga veprat e tij më fisnike”.

Interpretimi i trios të koncertit “Hungarian String Harmony”, në bazë të programit të lartpërmendur ishte korrekt në përcjelljen e energjisë kreative, teknikës virtuoze të veprave dhe tempos së kërkuar, por edhe elegancës së rafinuar dhe të thellë në kontekst të momenteve që kërkohej. Interpretimi i tyre ishte i balancuar si në aspektin dinamik por edhe në forcën e tingullit. Me intensitet emotiv nëpërmjet të cilit theksoheshin të gjitha momentet delikate të gjuhës dhe materialit muzikorë.

Ky koncert mund të trajtohet si sinonim i kreativitetit muzikor krijues dhe interpretues nëpërmjet të cilit u krijua një aurë e gëzueshme, impresionuese dhe e kënaqshme për publikun e pranishëm. Por sidomos për hapjen solemne të festivalit, duke pasur parasysh jetëgjatësinë e tij, ndikimin dhe peshën që ai ka në kontributin e jetës artistike, shoqërore, sociale dhe kulturore të qytetit të Shkupit.

Publiku shkupjan, që mbrëmjen e së enjtes ishte i pranishëm në numër solid, dëshmoi se e vlerëson dhe përkrahë llojin e ngjarjeve të tilla kulturore dhe zhvillimin e skenës muzikore në vend.

Nora Bajrami, muzikologe

Shoqata “Muza”, Shkup

89

Si e vlerësoni deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me krerët e UÇK-së?

 

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 6 Shtator, 2024 20:56
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
89

Si e vlerësoni deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me krerët e UÇK-së?

 

  • DritonZenku
    Shkollat po mbyllen, fshatrat po zbrazen: alarmi demografik në Maqedoninë e Veriut