Kafeja me stomak bosh – zakon i sigurt apo rrezik i fshehur?
Kafeja mbetet një nga zakonet më të përhapura të mëngjesit në mbarë botën. Me sheqer apo pa të, me qumësht apo e zezë, ajo është pjesë e pandashme e rutinës së përditshme për miliona njerëz.
Sipas të dhënave nga Shoqata Kombëtare e Kafesë në SHBA, 9 nga 10 konsumatorë pinë kafe para mëngjesit, shpesh me stomak bosh. Por a është kjo praktikë e sigurt?
Sipas një artikulli të Klinikës së Klivlendit, dietologu Anthony DiMarino thekson se sistemi tretës është mjaft efikas dhe në shumicën e rasteve, kafeja me stomak bosh nuk shkakton shqetësime serioze. Megjithatë, për disa individë, kjo mund të nxisë prodhimin e acidit në stomak, duke shkaktuar ndjesi djegieje ose refluks.
Ekspertët paralajmërojnë që doza ditore e kafeinës të mos kalojë 400 mg, për të shmangur efektet anësore si ankthi, pagjumësia apo shqetësimet gastrointestinale.
Në fund, gjithçka varet nga reagimi individual i organizmit – për disa, një filxhan kafeje pa mëngjes është energji e pastër, për të tjerët, një burim i mundshëm shqetësimi.
Flaka
















