Koalicioni u rrëzua nga autokracia dhe zhgënjimi i shqiptarëve, thotë Taravari

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Maj, 2025 12:30

Koalicioni u rrëzua nga autokracia dhe zhgënjimi i shqiptarëve, thotë Taravari

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka zbuluar arsyet që e çuan në vendimin për t’u larguar nga koalicioni VLEN dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në një intervistë të gjatë për gazetën Nacionale, transmeton Flaka

Taravari theksoi se vendimi nuk ishte i menjëhershëm, por një proces që kaloi në disa faza, ku euforia fillestare e fitores u zëvendësua nga zhgënjimi për mosrealizimin e premtimeve elektorale. Ai shprehu pakënaqësi për mungesën e përkushtimit serioz të disa prej partnerëve në koalicion dhe kritikoi mënyrën autoritare të vendimmarrjes, sidomos në lidhje me zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale të ardhshme.

“Ne propozuam sondazhe të hapura për të zgjedhur kandidatët më të votuar, por kjo u refuzua nga partitë e tjera, të cilat kërkonin emrat e tyre të përcaktuar, duke treguar mungesë respekti ndaj elektoratit,” tha Taravari.

Ai gjithashtu u shpreh se VLEN-i nuk i ka përmbushur premtimet, duke përmendur si shembull mosmbylljen e kazinove, heqjen e ligjit për balancuesin dhe vonesën e ligjit për barazinë etnike.

Në intervistë, Taravari hodhi poshtë akuzat për “tradhti” ndaj Qeverisë dhe sqaroi se vendimi për të dalë nga koalicioni ishte i pavarur dhe unanim i organeve të Aleancës për Shqiptarët, pa ndikime të jashtme apo presione nga BDI.

Ai mohoi gjithashtu ndikimin e kryeministrit Albin Kurti në krijimin e koalicionit VLEN, duke thënë se Kurti ishte mbështetës, por jo themelues apo ndërtues i koalicionit.

Në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm me BDI-në, Taravari theksoi se partia e tij do të bashkëpunojë me çdo forcë politike që punon për shqiptarët dhe qytetarët, pa paragjykime, duke bërë dallimin mes kriminelëve dhe aktivistëve të ndershëm brenda BDI-së.

Në fund, ai kritikoi qeverinë aktuale maqedonase për mungesën e përfaqësimit adekuat të shqiptarëve dhe nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme nëse situata nuk ndryshon.

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Maj, 2025 12:30
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media