Kompany mobilizon tifozët për ndeshjen e kthimit: ‘Atmosfera do të jetë e çmendur!
Atmosfera para ndeshjes së radhës në Allianz Arena pritet të jetë elektrizuese, teksa një nga figurat kryesore të Bayern Munich, Vincent Kompany ka dërguar një mesazh të fortë për tifozët.
Në një deklaratë të mbushur me emocione dhe vendosmëri, ai u bëri thirrje mbështetësve që stadiumi të jetë një “fortesë” e vërtetë, duke theksuar rëndësinë e pranisë së tifozëve në një ndeshje vendimtare.
“E vetmja kërkesë ime është: nëse dikush ka blerë biletë dhe nuk ndihet mirë ditën e ndeshjes, të qëndrojë në shtëpi dhe t’ia japë biletën tifozit më në formë të Bayern-it”, u shpreh ai.
Ai shtoi se skuadra ka nevojë për mbështetjen e plotë të rreth 75 mijë tifozëve në stadium, të cilët duhet ta përjetojnë ndeshjen së bashku me ekipin: “Na duhen të gjithë për ta bërë këtë stadium një fortesë. Duhet ta fitojmë këtë ndeshje dhe kemi nevojë për përkrahjen e tyre”.
Duke folur për atmosferën, ai paralajmëroi një mbrëmje të “çmendur”, duke theksuar se skuadra do të japë gjithçka në fushë: “Do të lëmë gjithçka në fushë, jemi gati të japim gjithçka deri në fund. Nuk ka mbaruar ende. Ne besojmë”.
Kjo deklaratë ka rritur edhe më shumë pritshmëritë për një përballje dramatike, ku Bayern Munich synon të përmbysë gjithçka me ndihmën e tifozëve të tij.
Flaka
















