Koncerti gala me “Tre tenorët” akordohet me vonesë
Mbrëmja ka vazhduar me tenorin amerikan, Charles Castronovo i cili paraqitet para publikut me një brosh filigrani në sako. “Una furtiva lagrima” nga opera “Eliksiri i dashurisë” e Gaetona Donizettit ka qenë vepra që ka interpretuar ai.
Tenori i turk Murat Karahan me kostum të zi e me trëndafil të kuq, ka sjellë arien dramatike të Francesco Cileas, “È la solita storia del pastore”.
Intermexoja është bërë me “Farandore” të Georges Bizetit, nga Orkestra nën dirigjimin e Goetzelit.
(E përditësuar 21:10) – Skena në kryeqytetin pa sallë koncertale, duket madhështore. Uvertura e William Tellit nga opera me të njëjtin titull kompozuar nga Gioachino Rossini, ka qenë njëra prej veprave të interpretuara. Dirigjenti Sascha Goetzel, ka mbajtur një fjalim emocionues e ndër të tjera ka përshëndetur edhe themelimin e Orkestrës së Operë së Kosovës.
Në skenë, themeluesi e nikoqiri i festivalit nuk ka folur, por fill ka nisur të interpretojë, “Moj e bukura More”.
(21:00) – Pak minuta më parë ka nisur koncerti gala me “Tre tenorët”, epilogun e edicionit të katërt të “Festivalit Ndërkombëtar të Operës – Rame Lahaj”. Dirigjenti Sascha Goetzel me njëzet minuta vonesë është ngjitur në skenën në sheshin “Skënderbeu” derisa mysafirët enden në kërkim të ulëseve.
Nën moton “T’knoft zemra”, që ka përcjellë këtë edicion të katërt, tenori kosovar, themelues e president i festivalit në “Rame Lahaj & Friends” shoqërohet nga Charles Castronovo, i njohur ndërkombëtarisht si një nga tenorët më të mirë të brezit të tij, si dhe Murat Karahan, yll i operës me mbi 50 role kryesore në të gjithë botën, i vlerësuar si “artisti më i suksesshëm operistik i vitit”.
Tre tenorët shoqërohen në skenë nga Orkestra e Operës së Kosovës dirigjuar nga maestro Sascha Goetzel, dirigjenti austriak të cilit me Kosovën i ishte përthyer rruga disa herë.
















